Në kuadër të Projektit “Mati Eko Destinacion”, ditën e hënë, 24 Tetor 2014 në ambjentet e Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Pjetër Budi” në Burrel, u zhvillua workshopi edukues dhe informues për të rinjtë e qytetit, me temë: “Turizmi tematik mjedisor për rajonin e Matit”, nën drejtimin e RCDC në bashkëpunim me Bashkinë Burrel.
Pjesëmarrësit në këtë tryezë ishin senatorë të dy gjimnazeve të qytetit Burrel, “Pjetër Budi” dhe “28 Nëntori”, nëndrejtori i shkollës së mesme “Pjetër Budi”, mësues të shkollës, të rinj nga qyteti si dhe përfaqësues të Qendrës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Rajonal, ekspertë turizmi si dhe përfaqësues nga Bashkia Burrel.
Në këtë workshop u diskutuan tema si “Turizmi si sektor i ekonomisë shqiptare”, “Koncepti i Ekoturizmit dhe shembuj suksesi nga vendi dhe bota”, “Vlerësimi i potencialit të zonës së Matit për të zhvilluar ekoturizmin”, “Vizioni i zhvillimit të ekoturizmit në Mat, Plani i veprimeve”.
Një sesion mjaft interesant ishte edhe përfshirja e të rinjve pjesëmarrës në ndërtimin e itinerareve të mundshme turistike në zonën e Matit, sipas orientimeve të temave të diskutuara gjatë këtij workshopi.
Gjatë këtyre diskutimeve u vu re rritja e shkallës së ndërgjegjësimit dhe informimit të pjesëmarrësve përsa i përket fushës së turizmit dhe potencialit të zonës së tyre për zhvillimin e një modeli të suksesshëm të ekoturizmit.
