Ditën e enjte, datë 04 Shtator 2014 në Qendrën e fshatit Blinisht u organizua takimi i prezantimit të Projektit “Festivali Zadrimor në Tokën e Fishtës”.
Në këtë takim morën pjesë partnerët e projektit, përfaqësues të Programit të Zhvillimit Rajonal - Shqipëria Veriore, përfaqësues të Këshillit të Qarkut Lezhë dhe Shkodër, përfaqësues të Komunave të Zadrimës, si dhe banorë të zonës dhe fshatit Blinisht.
Në takim u prezantuan aktivitetet kryesore, produktet, rezultatet e pritshme si dhe prezantimi i identitetit vizual të projektit.
Rëndësi të veçantë iu kushtua përgatitjes së Planit të Veprimit të Marketingut të Destinacionit dhe përfitimet e krijimit të DMU - Njësisë së Menaxhimit të Destinacionit në zonën e Zadrimës.
Ky projekt financohet nga Bashkëpunimi Zvicerian për Zhvillim (SDC) dhe Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC) nëpërmjet Programit të Zhvillimit Rajonal - Shqipëria Veriore.
Partnerët zbatues të projektit janë Komuna Blinisht, Qendra për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal (RCDC) dhe Qendra Shqiptare për Edukim Politik dhe Mediatik i të Rinjve (CEAPAL).
Projekti përfshin një sërë aktivitetesh që nisin me përmirësimin e shërbimeve të marketingut të sipërmarrësve artizanalë lokalë, rritjen e shërbimeve cilësore për bujtinat, B&B dhe hotelet e zonës së Zadrimës, forcimi i kapaciteteve të komunës për vazhdimesinë e projektit, ngritja e Organizatës së Menaxhimit të destinacionit, etj...
Projekti kulmon me organizimin e Festivalit Zadrimor në Tokën e Fishtës që synon promovimin e vlerave kulturore, artizanale, gastronomike e fetare të zonës si dhe identifikimin e Zadrimës si destinacion me potencial turistik.
Aktivitete të tjera priten të zhvillohen në ditët në vazhdim në kuadër të këtij projekti që synojnë përmirësimin e cilësisë dhe promovimin e ofertës së destinacionit Zadrimë.
